Orientim
Para, gjatë dhe pas kontaktit me policinë
Këto janë parime të përgjithshme orientuese, nuk janë këshillë ligjore. Për rastin tuaj konkret pyesni një jurist — klinika ligjore e KShH-së është falas.
Filmimi i policisë në hapësirë publike
Dokumentimi i punonjësve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës në hapësirë publike është praktikë e njohur dhe e mbrojtur nga standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi lirinë e shprehjes dhe informimit. Mbani distancë, mos pengoni fizikisht veprimin, dhe mos e dorëzoni telefonin pa kërkuar bazën ligjore.
Nëse kërkohet fshirja e materialit, kërkoni ta bëjnë me procedurë të shkruar dhe shënoni orën, vendin dhe shenjat e identifikimit. Fshirja e detyruar është në vetvete e dhënë që ia vlen të dokumentohet.
Në kontroll trafiku
Kërkoni me qetësi bazën ligjore të ndalimit dhe identifikimin e efektivit. Mbajeni duart të dukshme, mos dilni nga automjeti pa udhëzim, dhe thuajeni me zë se po filmoni.
Kërkesa për para në vend, pa procesverbal dhe pa gjobë të shkruar, është kërkesë për ryshfet. Mos e paguani dhe mos e kundërshtoni fizikisht — shënoni targën e automjetit policor, orën, vendin dhe numrin e identifikimit. Këto të dhëna, bashkë me një video, janë baza e një ankese që ecën.
Nëse ndaloheni
Kërkoni të dini arsyen e ndalimit dhe kërkoni kontakt me një avokat. Kërkoni që një person i afërt të njoftohet. Nuk jeni i detyruar t'i nënshkruani një dokument që nuk e kuptoni ose që nuk pasqyron atë që ndodhi — shënoni me shkrim kundërshtimin tuaj.
Nëse ndalohet një i mitur, kërkoni menjëherë praninë e prindit ose kujdestarit dhe të një avokati.
Nëse lëndoheni
Kërkoni ndihmë mjekësore menjëherë dhe sigurohuni që lëndimet shënohen në kartelë me datë dhe orë. Kërkoni raport mjeko-ligjor — ky është dokumenti që peshon më shumë në një hetim.
Fotografoni lëndimet në të njëjtën ditë dhe sërish pas dy-tri ditësh, me dritë të mirë dhe me një send referimi pranë për madhësinë. Mbajeni veshjen e grisur pa e larë dhe pa e riparuar.
Mbrojtja e të miturve
Fytyrat e të miturve nuk duhet të publikohen, edhe kur janë viktima — veçanërisht kur janë viktima. Mbulojini para se të ngarkoni material kudo, përfshirë në rrjetet sociale. Materiali i papërpunuar me fytyra të dukshme duhet të shkojë vetëm te juristi ose te prokuroria, jo në publik.